Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 29.10.2026, 11:29
Hekurudha Shqiptare dhe Albgaz vijojnë të regjistrojnë humbje financiare gjatë vitit 2026, ndërsa Albpetrol ka arritur të rikthehet në fitim gjatë tremujorit të dytë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Hekurudha Shqiptare regjistroi humbje prej rreth 230 milionë lekësh në tremujorin e dytë, me të ardhura prej 251.6 milionë lekësh dhe shpenzime prej 481.6 milionë lekësh. Për mbështetjen e aktivitetit të saj, buxheti i shtetit ka parashikuar 500 milionë lekë subvencione për vitin 2026, nga të cilat rreth 392.3 milionë lekë ishin akorduar deri në fund të nëntëmujorit.Edhe Albgaz vijon të përballet me vështirësi financiare, duke regjistruar humbje prej 63.3 milionë lekësh gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Kompania realizoi vetëm 3.8 milionë lekë të ardhura, kundrejt 67.2 milionë lekëve shpenzime. Humbjet e saj arritën në 89.7 milionë lekë në vitin 2025 dhe 103.4 milionë lekë në vitin 2024, duke evidentuar vështirësitë për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për mbulimin e kostove operative. Ndryshe nga këto dy shoqëri, Albpetrol përmirësoi ndjeshëm performancën, duke kaluar nga një humbje prej 358.4 milionë lekësh në tremujorin e parë në një fitim neto prej 397.4 milionë lekësh në tremujorin e dytë, falë të ardhurave prej rreth 2.17 miliardë lekësh.
Rezultatet financiare të këtyre tri ndërmarrjeve shtetërore nxjerrin në pah sfidat e menaxhimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike në sektorë strategjikë të vendit. Vetëm gjatë viteve 2024 dhe 2025, humbjet e tyre të kombinuara arritën në rreth 2.53 miliardë lekë. Megjithëse këto kompani kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë, humbjet e përsëritura dhe varësia nga financimet publike ngrenë pikëpyetje mbi eficiencën e menaxhimit, modelin e financimit dhe aftësinë për të garantuar qëndrueshmëri financiare në afatgjatë.

FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR