Italiani pranon vrasjen e shqiptarit për një borxh 500€, bashkëshortja: Ishte baba shembullor

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.10.2026, 10:19

Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku, trupi i të cilit u gjet në një pus në zonën e Longianos, në provincën e Çezenës, Itali.

Për ngjarjen është ndaluar një 29-vjeçar italian, i cili, sipas raportimeve të mediave vendase, ka pranuar përfshirjen në krim gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet. I pyetur për ngjarjen, ai raportohet të jetë shprehur shkurt: “Isha unë”.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga mediat italiane, i riu shqiptar dyshohet se është vrarë nga 29-vjeçari, i cili më pas ka fshehur trupin e tij duke e hedhur në një pus. Hetuesit dyshojnë se shkak për konfliktin mes dy personave është bërë një borxh prej rreth 500 eurosh, që lidhej me furnizimin me lëndë narkotike. Mosmarrëveshja dyshohet se ka degjeneruar në një përplasje të dhunshme, me pasoja fatale për 31-vjeçarin.

Ndërsa hetimet në Itali vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e vrasjes, bashkëshortja e viktimës ka rrëfyer momentet e fundit para zhdukjes së tij, si dhe dhimbjen e familjes pas humbjes së rëndë.

Sipas saj, Denaldo ishte larguar nga banesa më 8 tetor, duke i thënë se do të shkonte në një lokal dhe se do të kthehej në mbrëmje. Por ai nuk u kthye më, duke lënë pas shqetësimin dhe pasigurinë që përfundimisht u shndërruan në një tragjedi për familjen.

Duke folur për bashkëshortin e saj, ajo e ka kujtuar si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe punës, si dhe si një baba të dashur për vajzën e tyre të vogël.

“Ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte shumë vajzën tonë vetëm një vjeçe. Ishte një punëtor i jashtëzakonshëm”, është shprehur ajo.

Autoritetet italiane vijojnë punën për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes, për të përcaktuar motivin e saktë dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e 31-vjeçarit shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit