Detaje të rënda kanë dalë në dritë lidhur me mënyrën se si institucionet policore i janë përgjigjur Arlinda Zekajt, e cila kërkonte mbrojtje dhe zbatimin e një vendimi gjyqësor pak ditë para se të vritej.
Në incizimet e publikuara në emisionin MAT, dëgjohet komunikimi mes Arlindës dhe zyrtarit policor Faruk Muçolli, të cilit ajo i kërkonte ndërhyrje për zbatimin e urdhrit të mbrojtjes ndaj ish-bashkëshortit.
Arlinda shprehte shqetësimin e saj për gjendjen e rënduar psikologjike të djalit, duke pretenduar se policia nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Por përgjigjja e zyrtarit policor ishte shqetësuese. Sipas transkriptit të publikuar, ai i kishte thënë se nuk ishte i detyruar të merrej vazhdimisht me rastin e saj, pasi kishte edhe obligime të tjera.
“Nuk jam i obligum me u marrë me ty”, dëgjohet t'i ketë thënë polici, ndërsa Arlinda këmbëngulte se kërkonte vetëm zbatimin e aktvendimit.
Në një tjetër deklaratë rrëqethëse, Arlinda kishte pyetur: “A duhet të më vrasë mua Jetoni?”, duke shprehur frikën për jetën e saj.
Pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme dhe kërkesave për mbrojtje, Arlinda Zekaj u vra pak ditë më vonë.
Publikimi i këtyre incizimeve ngre pikëpyetje serioze mbi trajtimin e rastit nga institucionet përgjegjëse dhe nëse janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e saj.
A mund të ishte parandaluar kjo tragjedi nëse kërkesat e Arlindës do të ishin trajtuar me seriozitetin e duhur?