Hollywood-i i propagandës, Librazhdi hapi garën, Devolli synon Oscar-in për skenarin me domino e sirena!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.10.2026, 22:47

Pas kolegëve të Librazhdit, edhe zjarrfikësit e Devollit kanë hyrë në garën për çmimin e madh të propagandës në rrjetet sociale. Kësaj here, skena zhvillohet në një shkollë 9-vjeçare, me telefonata urgjente, muzikë dramatike dhe një skenar që do ta kishte zili edhe Hollywood-i.

Filmi nis me zjarrfikësit duke luajtur domino. Por sapo bie telefoni, loja ndërpritet, dominoja lihet përgjysmë dhe nis misioni i madh. Muzika ngrihet, kamerat ndjekin çdo lëvizje dhe heronjtë nisen drejt aksionit, sikur sapo të kenë marrë një telefonatë për të shpëtuar planetin.

Në fund shfaqen edhe shefi i zjarrfikësve dhe drejtoresha e shkollës, për ta kompletuar këtë produksion me të gjithë personazhet kryesorë. Aktorët janë, skenari është, muzika është. Netflix-i mund të nisë përgatitjet për sezonin e dytë!

Pas videos së Librazhdit, tani edhe Devolli duket se ka zbuluar formulën e suksesit: një telefonatë, disa skena të mirëmenduara dhe muzikë dramatike. Emergjenca kthehet në film aksion, ndërsa rrjetet sociale në ekranin ku shfaqet suksesi i madh i shërbimit.

Sigurisht, zjarrfikësit meritojnë respekt për punën dhe rrezikun me të cilin përballen. Por qytetarët kanë nevojë për pajisje, kushte pune dhe ndërhyrje efikase, jo për audicione filmike ku dominoja shërben si skena e parë dhe sirena si kulmi dramatik.

Në fund të fundit, kur bie telefoni për një emergjencë, rëndësi ka sa shpejt dhe sa mirë ndërhyhet, jo sa bukur duket gjithçka në Instagram. Zjarrin e shuajnë zjarrfikësit, por etjen për propagandë duket se nuk po e shuan dot askush!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit