E vrau dhe trupin ia hodhi në humnerë, dënohet me burgim të përjetshëm ish-i dashuri i Ilarias

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.10.2026, 18:42

Gjykata në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, autorin e vrasjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, në mars të vitit 2025. Pas krimit makabër, ai e futi trupin e studentes në një qese dhe e hodhi në një humnerë, në zonën e Capranica Prenestina, pranë Romës.

Vendimi u shpall nga Gjykata e Tretë e Krimeve të Rënda në Romë, në sallën e gjyqit të burgut Rebibbia. Samson, i cili e kishte pranuar autorësinë e krimit, nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së dënimit. Ai akuzohej për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.

Pas vendimit, babai i Ilaria-s, Flamur Sula, u shpreh se drejtësia kishte dhënë përgjigjen e saj, por asnjë dënim nuk mund ta shuajë dhimbjen e familjes për humbjen e vajzës.

“Drejtësia u bë, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, deklaroi ai.

Në mes të dhimbjes, babai i 22-vjeçares përcolli edhe një mesazh për të rinjtë, duke i nxitur të respektojnë njëri-tjetrin dhe të mos i mbajnë të fshehta problemet që mund të përjetojnë.

“U them miqve të Ilaria-s dhe në përgjithësi të rinjve: respektoni njëri-tjetrin dhe flisni me prindërit tuaj. Mos heshtni”, u shpreh ai.

Edhe nëna e studentes, Gëzime Sula, iu drejtua të rinjve me një apel të ndjerë: “Respektoni gratë, duajini ato”. Mes lotësh dhe e mbështetur te bashkëshorti, ajo shtoi: “Tani ajo është në paqe”.

Ilaria Sula u vra më 25 mars 2025 nga ish-i dashuri i saj. Sipas hetimeve, Samson e goditi tri herë me thikë në fyt, më pas e futi trupin e saj në një qese dhe e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina. Trupi i pajetë i 22-vjeçares u gjet më 2 prill 2025.

Gjatë marrjes në pyetje, 24-vjeçari pranoi krimin, duke deklaruar se nuk arrinte të shpjegonte çfarë kishte ndodhur në ato momente.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit