Pas 1 janarit do e hani sa krahu: Rriten taksat dhe tatimet

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.10.2026, 18:28

Vetëm pak ditë pasi u shfaq publikisht i shqetësuar dhe "me lot krokodili" për dëmet e shkaktuara në dyqanet e bizneseve gjatë protestave të fundit, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë mjaft origjinale për t'i "ndihmuar" ato: duke u rritur akoma më shumë taksat dhe tatimet.

Në vend të lehtësimit, projektligji i ri i qeverisë për Paketën Fiskale 2027 parashikon rritjen e taksave dhe tatimeve për pothuajse çdo sektor të ekonomisë. Nëse ky draft miratohet në Kuvend, barra financiare mbi sipërmarrjen private do të rritet ndjeshëm, duke shtrenjtuar kostot e operimit në të gjithë vendin.

Çfarë parashikon drafti i ri për bizneset?

  • Rritje e Tatimit mbi Fitimin (shkon në 17%): Nga 15% që është norma aktuale, projektligji parashikon rritjen e tatimit mbi të ardhurat në 17%, çka do t'u marrë bizneseve më shumë nga fitimi neto dhe do të frenojë investimet e reja.
  • Goditje për investitorët: Propozohet rritja e dividendit në 15%: Pas 8 vitesh ku tatimi mbi dividendin ishte vendosur në masën 8%, qeveria synon ta dyfishojë atë duke e çuar në 15%, diçka që zbeh direkt interesin e aksionarëve për të riinvestuar kapitalin.
  • Shtrenjtim i karburantit dhe shërbimeve (TVSH-ja e përgjithshme shkon 21%): Sipas draftit, norma e përgjithshme e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%. Kjo rritje do të rrisë automatikisht koston e karburantit (p.sh. minimalisht 2 lekë më shumë TVSH për çdo litër naftë prej 200 lekësh) dhe do të shtrenjtojë çdo shërbim e produkt tjetër jo-ushqimor.
  • Cenohen privilegjet e Turizmit (TVSH shkon në 10%): Për hotelet me 5 yje, agroturizmin dhe shërbimet e akomodimit, projektligji propozon rritjen e TVSH-së nga 6% që është aktualisht, në 10%.

Dëmet nga taksat e propozuara, më të mëdha se protestat

Nëse nga protestat bizneset pësuan dëme materiale të izoluara, Paketa e Re Fiskale 2027 nëse miratohet siç është propozuar, rrezikon të japë një goditje të përgjithshme e sistematike për të gjithë sektorin privat. Me sa duket, "solidarizimi" publik i qeverisë me sipërmarrjen përkthehet në drafte ligjore për fatura më të larta administrative dhe duar më të thella në xhepat e bizneseve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit