Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të martë fshatin Dubravë të Istogut, ku një person ka humbur jetën pasi është lënduar në vendin e punës.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 08:40. Viktima është transportuar me urgjencë në QKMF të Istogut, por fatkeqësisht mjekët kanë konstatuar se kishte mbërritur pa shenja jete.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka bërë të ditur se në vendngjarje kanë dalë njësitë policore për të zbardhur rrethanat e tragjedisë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Ndërkohë, përgjegjësi i punëtorëve është intervistuar nga policia dhe është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për dyshime lidhur me dëmtimin apo heqjen e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.
Një tjetër jetë e humbur në vendin e punës, ndërsa mbetet për t'u zbardhur nëse janë respektuar masat e sigurisë që duhet të mbrojnë punëtorët.