Një i ri shqiptar, vetëm 20 vjeç, ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e punës, në zonën e Valtopinës, në rajonin e Umbrias në Itali. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së martës, më 27 tetor, gjatë punimeve për asfaltimin e një rruge.
Sipas informacioneve paraprake nga mediat italiane, i riu po punonte me një rul kompresor, mjet që përdoret për ngjeshjen e sipërfaqes së rrugës, kur makineria dyshohet se është përmbysur. Si pasojë, punëtori ka rënë dhe është zënë poshtë nga mjeti që po drejtonte.
Kolegët e tij kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe karabinierët. Për shkak të gjendjes së rëndë, është aktivizuar edhe helikopteri i urgjencës “Nibbio”, i nisur nga Foligno. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, i riu nuk ka mundur të mbijetojë.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën Santa Cristina, ku po kryheshin punime për përmirësimin e shtresës rrugore. Rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përmbysjen e makinerisë.
Vdekja e 20-vjeçarit shqiptar vjen në një periudhë kur në Itali janë regjistruar edhe disa aksidente të tjera fatale në punë. Sipas raportimeve të mediave italiane, me ngjarjen në Valtopinë, numri i punonjësve që kanë humbur jetën në aksidente në vendin e punës gjatë tri ditëve të fundit në nivel kombëtar ka arritur në shtatë.