Detaje tronditëse kanë dalë në dritë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila humbi jetën më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Pejë, të publikuar nga mediat, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, kishte pranuar që më 23 korrik 2026 se e kishte kërcënuar Arlindën me vrasje.
“Është e vërtetë se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom met mbyt, kom met ngre zhag’”, kishte deklaruar Sylaj para prokurorit, duke u arsyetuar se kërcënimet i kishte bërë për shkak të djalit të tyre 12-vjeçar.
Madje, ai kishte pranuar shprehimisht: “Unë e pranoj që kam kryer kanosje, e kam bërë vetëm për shkak të djalit tim.”
Arlinda kishte denoncuar rastin në polici që më 10 korrik, ndërsa në dosjen e Prokurorisë ndodheshin edhe video-incizime me fjalor të rëndë dhe kërcënime ndaj saj.
Prokuroria kishte vlerësuar se kërcënimet ishin serioze, të drejtpërdrejta dhe të afta të shkaktonin frikë e pasiguri te viktima. Ndaj Sylajt ishin ngritur dyshime të bazuara për veprën penale të kanosjes.
Tre muaj pas këtyre deklaratave, Arlinda Zekaj u vra, duke lënë pas një djalë vetëm 12-vjeçar.
Rasti ngre pyetje të rënda mbi efektivitetin e mbrojtjes institucionale për gratë që denoncojnë kërcënimet dhe dhunën.
Sa vlerë ka një denoncim dhe pranimi i kërcënimeve para prokurorit, nëse gruaja që kërkon mbrojtje përfundon e vrarë?