220 kg marijuanë dhe një plantacion i fshehur në pyll, 4 shqiptarë përfundojnë në burg

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.10.2026, 09:58

Katër shtetas shqiptarë kanë përfunduar në pranga në Spanjë, të dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe përfshirje në një grup kriminal. Operacioni i Gardës Civile u zhvillua në një zonë pyjore të Hoya de Huesca-s, ku autoritetet zbuluan një plantacion kanabisi dhe një ambient të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e marijuanës.

Sipas mediave spanjolle, të arrestuarit janë burra të moshave 36 deri në 50 vjeç, me origjinë shqiptare dhe rezidentë në Barcelonë.

Hetimet nisën më 17 tetor, pasi një patrullë e njësisë së mbrojtjes së natyrës konstatoi shenja të aktivitetit të dyshimtë në zonën e pyllëzuar. Dy ditë më vonë, Garda Civile ndërmori një operacion për kontrollin e territorit, shkatërrimin e plantacionit dhe ndalimin e personave të dyshuar.

U zbuluan 72 bimë, dyshohet se ishin korrur rreth 1.000 të tjera

Gjatë kontrolleve në terren, efektivët gjetën 72 bimë kanabisi sativa me lulëzime të zhvilluara. Megjithatë, gjurmët e konstatuara në zonë treguan se plantacioni mund të kishte qenë edhe më i madh, pasi dyshohet se aty ishin korrur më parë rreth 1.000 bimë të tjera.

Kultivimi ishte organizuar në një zonë të izoluar, larg qendrave të banuara. Sipas raportimeve, personat që dyshohet se kujdeseshin për plantacionin qëndronin në tenda kampingu të vendosura pranë tij.

Pajisjet e gjetura në vendngjarje, të përdorura për ujitje, kultivim dhe tharje, tregojnë se aktiviteti dyshohet se përfshinte disa faza të prodhimit të lëndës narkotike.

Sekuestrohen 220 kilogramë marijuanë, vlera rreth 413 mijë euro

Gjatë operacionit, autoritetet zbuluan pranë plantacionit edhe një ambient të madh të pajisur për tharjen dhe përpunimin e marijuanës.

Aty u gjetën depozita për ujitje, plehra dhe fertilizues të tretshëm në ujë, makineri për heqjen e kërcellit dhe degëzave, ventilatorë, një ngrohës industrial me ajër të nxehtë, si dhe një gjenerator për furnizimin me energji elektrike.

Në total, u sekuestruan 220 kilogramë sytha marijuane dhe 72 bimët e gjetura në plantacion. Sipas vlerësimeve të autoriteteve, vlera e lëndës narkotike të sekuestruar në tregun e paligjshëm arrin në rreth 413 mijë euro.

Gjykata vendos paraburgimin për katër shqiptarët

Pas arrestimit dhe përfundimit të veprimeve procedurale, katër shqiptarët u paraqitën përpara autoriteteve gjyqësore në Huesca.

Ata dyshohen për kultivim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në një grup kriminal. Gjykata vendosi ndaj tyre masën e paraburgimit pa mundësi lirimi kundrejt garancisë pasurore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar vijojnë.

Në operacion morën pjesë disa njësi të Gardës Civile në provincën e Huesca-s, mes tyre ekipi ROCA dhe patrulla e specializuar për mbrojtjen e natyrës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit