Tregu energjetik i Kosovës është vënë në qendër të vëmendjes për shkak të lëvizjeve të dyshimta të disa kompanive të tregtimit të energjisë që kërkojnë licenca të reja nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Tri kompani, “ETMT Energy”, “NOA Energy Trade” dhe “Energy Financing Team” (EFT), ishin në garë për të marrë dritën jeshile në mbledhjen e 23 tetorit, por shqyrtimi i tyre u shty, ndërkohë që Prokuroria Speciale tashmë ka nisur hetimet për dy prej tyre.
Për lexuesit në Shqipëri dhe Kosovë, ky skandal merr tjetër peshë kur sheh se pas këtyre kompanive që qarkullojnë shifra marramendëse me nga vetëm një të punësuar, fshihen emra të lakuar biznesmenësh dhe një prej oligarkëve më të fuqishëm të Serbisë.

Dokumentet e siguruara zbulojnë shifra skandaloze të transaksioneve financiare në Kosovë, të cilat nuk përputhen aspak me strukturën reale të bizneseve:

Lidhjet e këtyre emrave me aktivitete biznesi dhe tregun energjetik e bëjnë këtë histori edhe më alarmante:
Gentian Sula është pronar i kompanisë NOA Energy Trade, e cila është kthyer në një nga lojtarët kryesorë të tregtimit të energjisë elektrike në rajon, duke lëvizur qarkullime qindra milionëshe, shifra për të cilat tashmë ka nisur hetimet nga Prokuroria Speciale në Kosovë.
Marin Gjonaj është një sipërmarrës i njohur për operacionet e tij në fushën e tregtimit të energjisë, shërbimeve të teknologjisë dhe transaksioneve të shpejta me vlerë të lartë, ndërsa kompania e tij ETMT Energy po hetohet pas shifrave prej miliona eurosh qarkullim me vetëm një të punësuar.
Vuk Hamović është oligark serb, i njohur gjerësisht në Ballkan si "mbreti i energjisë". Përmes rrjetit të kompanive EFT, ai ka kontrolluar për dekada një pjesë të madhe të tregtisë ndërkufitare të rrymës, duke u përfshirë në hetime të shumta ndërkombëtare për skema monopolizimi në tregjet energjetike të vendeve të rajonit.
Shtyrja e vendimit nga ZRRE-ja e mban situatën pezull, ndërsa pyetja se çfarë kërkojnë këta aktorë në tregun energjetik të Kosovës mbetet në qendër të hetimeve të prokurorisë dhe shqetësimit publik.