Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga deklarata e Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, pasi kishte kërkuar ndihmë nga Policia.
Arlinda kishte denoncuar bashkëshortin e saj, Jeton Sylën, për dhunë dhe kërcënime me jetë. Por ajo që të rrëqeth është pyetja që viktima u kishte drejtuar efektivëve të policisë:
“A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia,, atëherë ta arrestoni?”
Arlinda kishte deklaruar se nuk ndihej e sigurt, por nuk pranonte të largohej nga shtëpia, pasi nuk donte të hiqte dorë nga djali dhe pasuria e saj.
“Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime.”
Policia njoftoi se kishte arrestuar bashkëshortin e saj dhe se Arlinda ishte kthyer në banesë me vullnetin e saj. Por avokatja Adelina Hoxha e ka kundërshtuar këtë version, duke deklaruar se kthimi nuk kishte qenë vullneti i viktimës.
Rreth orës 21:10, Policia u njoftua se Arlinda ishte gjetur pa shenja jete. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i shpallur në kërkim.
Arlinda kërkoi ndihmë, denoncoi kërcënimet dhe paralajmëroi për rrezikun. Pak orë më vonë, ajo ishte e vdekur.
Pyetja që kërkon përgjigje është: A u morën të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur Arlindën, pasi ajo kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik?