Pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Pejë, vajza e axhës së viktimës ka folur me dhimbje dhe revoltë, duke hedhur akuza të rënda ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Ajo ka treguar se, sipas saj, konflikti kishte shpërthyer pasi Arlinda kishte shkuar ta merrte djalin nga familja e ish-bashkëshortit, por fëmija nuk i ishte dorëzuar.
“Normalisht e ka çu djalin për çdo vikend, kur u shku me marrë, nuk ia kanë dhënë djalin, aty ka plasë belaja. Qysh e ndan fëmijën prej nanës? Ku ekziston kjo? Vetëm këtu, sepse i korruptojnë njerëzit”, është shprehur familjarja.
Ajo ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar denoncimet e mëparshme të Arlindës.
“Ka pasur raste me të, e ka lajmëru, por shteti e ka neglizhuar”, ka deklaruar ajo.
Dëshmia e familjares ngre pikëpyetje serioze mbi reagimin e institucioneve dhe nëse tragjedia mund të ishte parandaluar.