Studentët dhe pedagogët protestojnë sërish sot në orën 14:00 te Ministria e Arsimit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.10.2026, 08:58

Mijëra studentë, të mbështetur nga qytetarë, vijojnë protestat prej 13 ditësh, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit raportojnë dhjetëra të plagosur, mes tyre të rinj, pedagogë, gazetarë dhe deputetë, gjatë përplasjeve me policinë. Pavarësisht tensioneve, studentët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe kanë njoftuar se do të mblidhen sërish sot, në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit.

Edhe protesta kombëtare e së shtunës dhe tubimi i djeshëm u shoqëruan me tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit. Ndërkohë, në tarracën e Kryeministrisë janë vendosur kamera me rezolucion të lartë, të cilat, sipas raportimeve, mundësojnë monitorimin e turmës dhe identifikimin e personave të pranishëm në protestë. Ky zhvillim vjen në një klimë të acaruar politike, ku protestuesit vijojnë të kundërshtojnë qeverinë dhe mënyrën e reagimit të institucioneve ndaj tubimeve.

Gjatë protestës së djeshme, qytetarët u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Arsimit, ku u hodhën gurë drejt godinës, përpara se të marshonin drejt Kryeministrisë. Atje, protestuesit thyen dhe dogjën karriget e vendosura si simbol i ftesës së Ramës për dialog, ndërsa pati incidente edhe pranë Kryesisë së Kuvendit. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa pas ndërhyrjes pati përplasje edhe mes efektivëve dhe gazetarëve të pranishëm në bulevard.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit