Prej 12 ditësh, vendi po zien nga protestat studentore, ku kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Gjatë këtyre protestave, gazetarët dhe protestuesit janë përballur me raste dhune, ndërsa katër reporterë të TVA News janë lënduar ose penguar në ushtrimin e detyrës.
Një gazetare e TVA News u shty dhe u pengua nga një person civil pa shenja identifikuese, teksa dokumentonte arrestimin e një protestuesi. “Mu hiq qafe, hiq dorën”, ishte reagimi i personit ndaj gazetares, e cila ishte e pajisur me bexh dhe po kryente detyrën e saj.
Të nesërmen, e njëjta gazetare u pengua sërish gjatë raportimit për një tjetër arrestim. Këtë herë, një efektiv policie iu drejtua me fjalët “Largohu, le të jesh media”, duke e shtyrë dhe penguar në punën e saj.
Në një rast tjetër, gjatë arrestimit të një protestuesi që kishte folur publikisht kundër Edi Ramës, gazetarja u shty me forcë nga polici Ardit Kasapi dhe një person civil me kapuç të zi, sipas raportimit të redaksisë.
Një nga videoreporterët e TVA news u rrëzua nga mercenarët e shtetit me maska e kapuça, njëjtë si kriminelët. Ai po raportonte në teren për median tonë, por babëzia që nuk njeh kufij e policëve të kryemercenarit Skënder Hita e shty duke i shkaktuar plagë në dorë.
Nuk mbaron me kaq! Gjate ditës se djeshme, fotoreporteri i TVA news u godit nga një kapsulë gazi lotsjellës e hedhur nga policia, duke mbetur i lënduar në këmbë. Sërish theksojmë, ai po dokumentonte zhvillimet e protestës kombëtare të studentëve dhe të rinjve.
E goditur nga shteti është dhe reporterja jone tjetër e TVA News. Teksa po raportonte protestën në terren është gjuajtur me plumb gome në dorë.
Përballë këtyre ngjarjeve, ku është Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë? Ku janë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, rrjeti SafeJournalists, Reporterët pa Kufij dhe Avokati i Popullit? Ku është Iris Luarasi, e cila gjoja mbron të drejtat e grave?
Si redaksi e TVA News, kërkojmë të dimë se ku janë reagimet konkrete të organizatave që deklarojnë se mbrojnë lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve. Për çfarë shërbejnë fondet që marrin këto organizata, nëse gazetarët dhunohen dhe pengohen të kryejnë detyrën e tyre? Përballë rasteve të tilla, heshtja kërkon shpjegim.