Shkelje e udhëzimeve të OKB-së! Kush mban përgjegjësi për plumbat e gomës në sy e në gjoks?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.10.2026, 22:04

Një i ri rrezikon të humbasë shikimin pasi u plagos rëndë në sy. Avokati Altin Goxhaj raporton se është qëlluar me plumb gome në gjoks, ndërsa një pedagoge universitare u godit po ashtu në gjoks teksa ndihmonte dy të moshuar. Këto janë disa nga rastet e rënda të raportuara gjatë protestave në Tiranë, ku përdorimi i forcës nga policia ka lënë pas të plagosur.

Erjon Vishkulli, 28-vjeç, përfundoi në Spitalin e Traumës pas plagosjes në sy gjatë protestës së sotme. Pamjet e tij, me fytyrën e mbuluar nga gjaku, janë dëshmi tronditëse të pasojave që mund të ketë përdorimi i këtyre armëve.

Sipas udhëzimeve të Kombeve të Bashkuara, plumbat e gomës nuk duhet të përdoren për të qëlluar drejt turmave në mënyrë të pakontrolluar dhe as të drejtohen drejt kokës, fytyrës, qafës apo pjesës së sipërme të trupit. Në rastet kur përdorimi i tyre është i domosdoshëm për të ndalur një rrezik të menjëhershëm, duhet të synohen pjesa e poshtme e barkut ose këmbët, me qëllim minimizimin e dëmtimeve.

Atëherë, si shpjegohen goditjet në sy e në gjoks? Kush vendos se ku qëllohet dhe kush kontrollon nëse efektivët respektojnë standardet ndërkombëtare? Një armë që mund të shkaktojë verbim të përhershëm apo dëmtime fatale nuk mund të trajtohet si mjet i padëmshëm për shpërndarjen e protestuesve.

Nuk mjaftojnë deklaratat e përgjithshme. Duhet të hetohen rastet, të identifikohen efektivët e përfshirë dhe të përcaktohet përgjegjësia për çdo përdorim të paligjshëm të forcës. Qytetarët e plagosur meritojnë përgjigje, hetim të plotë dhe përgjegjësi konkrete.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit