Nëntë persona, mes tyre shtatë burra dhe dy gra, janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi përmes Call Center-ave në Prishtinë dhe Obiliq.
Në mesin e personave të arrestuar raportohet se është edhe këngëtarja Ariana Plakici, e njohur për pjesëmarrjen e saj në edicionin e dytë të Big Brother VIP Albania.
Sipas Policisë së Kosovës, gjashtë nga të dyshuarit janë shtetas kosovarë, ndërsa tre të tjerët kanë shtetësi gjermane.
Të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar për të mashtruar shtetas të huaj përmes qendrave të thirrjeve. Gjatë hetimeve, në pajisjet e tyre kompjuterike janë zbuluar të dhëna personale të shtetasve të huaj.
Gjatë bastisjeve në katër lokacione, autoritetet kanë sekuestruar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 hard disqe, një automjet, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të nëntë të dyshuarve.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa personat e arrestuar prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.