Vala Park në Durrës u hap për fëmijët, por tani çdo lojë është me para

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.10.2026, 14:19

Një qytetare nga Durrësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e këndeve të lojërave falas për fëmijët në Vala Park.

Sipas qytetares, në një qytet ku hapësirat e gjelbra dhe vendet e dedikuara për argëtimin e fëmijëve janë gjithnjë e më të pakta, krijimi i parkut u prit me entuziazëm nga familjet, të cilat shpresuan se do të kishin një ambient ku fëmijët mund të kalonin kohën e lirë.

Megjithatë, ajo shprehet se të gjitha lojërat në park janë me pagesë, duke e bërë të vështirë për familjet që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë sa herë që dalin për shëtitje me fëmijët.

Qytetarja tregon se gjatë ditës së sotme, të shtunën, kur prindërit kanë më shumë mundësi t'i nxjerrin fëmijët për të luajtur, parku ishte bosh, pa fëmijë dhe pa gjallërinë që pritet nga një hapësirë e tillë.

Ajo thekson se nuk kërkon që çdo aktivitet të jetë falas, por sugjeron që në park të ketë të paktën disa kënde lojërash pa pagesë, të aksesueshme për të gjitha familjet.

Përmes këtij denoncimi, qytetarja kërkon më shumë hapësira publike dhe mundësi argëtimi falas për fëmijët e Durrësit, duke vënë në dukje se jo çdo familje mund të përballojë koston e çdo loje.

Sipas saj, fëmijët kanë nevojë për hapësira ku të luajnë dhe të argëtohen, pa qenë çdo aktivitet i kushtëzuar nga pagesa.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit