Vendimi i ri i qeverisë: Pronarët detyrohen të deklarojnë emrat e qiramarrësve

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.10.2026, 22:51

Qeveria shqiptare ka miratuar rregulloren e re për administrimin e banesave dhe ndërtesave në bashkëpronësi, e cila vendos detyrime të reja strikte për të gjithë pronarët që i lëshojnë apartamentet e tyre me qira.

Ndryshimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM nr. 687, datë 11 shtator 2026) në Fletoren Zyrtare më 23 tetor 2026. Vendimi është marrë me propozim të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, në zbatim të ligjit nr. 55/2025 për administrimin e bashkëpronësisë.

Identifikimi i detyrueshëm i qiramarrësve

Sipas nenit 41 të rregullores së re, nuk mjafton më vetëm njoftimi formal se apartamenti është dhënë me qira. Pronarët do të jenë të detyruar të informojnë zyrtarisht administratorin:

  • Njoftimi me shkrim: Pronari duhet të njoftojë me shkrim kryesinë e bashkëpronarëve dhe administratorin ose shoqërinë administruese të ndërtesës.
  • Të dhënat e nevojshme: Njoftimi duhet të përmbajë emrin, mbiemrin, adresën e kontaktit dhe numrin e telefonit të personit që do të jetojë në apartament.

Përgjegjësia e pronarit dhe rregullat e bashkëjetesës

Rregullorja përcakton gjithashtu se pronari ka detyrimin t’i dorëzojë qiramarrësit një kopje të rregullores së ndërtesës, me qëllim njohjen e rregullave të përdorimit të hapësirave të përbashkëta.

Pavarësisht se banesa kalon në përdorim të një personi tjetër, përgjegjësia ligjore për detyrimet që burojnë nga bashkëpronësia mbetet e pronarit të apartamentit. Nga ana tjetër, edhe qiramarrësi është i detyruar të zbatojë rregullat e bashkëjetesës të miratuara nga asambleja.

Dokumenti i ri normativ bën gjithashtu një diferencim sa i përket tarifave të administrimit, duke ndarë qartë apartamentet që përdoren për banim nga njësitë që shfrytëzohen për veprimtari tregtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit