Zvicra vazhdon të mbetet një nga destinacionet kryesore për kosovarët, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se bashkimi familjar është arsyeja dominuese e marrjes së lejeve të qëndrimit.
Sipas statistikave zyrtare të Sekretariatit Shtetëror për Migracionin në Zvicër (SEM), gjatë vitit 2025, gjithsej 1,877 shtetas të Kosovës janë regjistruar si të pranuar për qëndrim afatgjatë në këtë shtet.
Nga ky numër, 1,538 persona, apo 81.9%, kanë siguruar leje qëndrimi përmes bashkimit familjar, ndërsa vetëm 339 të tjerë janë pranuar për arsye të ndryshme.
Kjo përqindje është shumë më e lartë se mesatarja e përgjithshme në Zvicër, ku vetëm 25.5% e pranimeve të shtetasve të huaj gjatë vitit 2025 kanë qenë për bashkim familjar.
Ndërkohë, në nivel kombëtar, punësimi mbetet arsyeja kryesore e ardhjes së të huajve në Zvicër, me 88,355 pranime për punë dhe 42,170 për bashkim familjar.
Bashkimi familjar u mundëson bashkëshortëve dhe fëmijëve t'u bashkohen familjarëve që jetojnë ligjërisht në Zvicër. Personat që marrin leje për këtë arsye mund të punësohen më pas, sipas kushteve ligjore.
Këto shifra pasqyrojnë vetëm pranimet e reja të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe jo numrin e përgjithshëm të kosovarëve që jetojnë në Zvicër.
Po ju, a keni familjarë në Zvicër që kanë emigruar përmes bashkimit familjar?