Pas viteve të studimit për të shpëtuar jetë, një i ri që sapo ka përfunduar Mjekësinë e Përgjithshme ka dalë sot në protestë, jo vetëm si student, por edhe si një bir që ende mban mbi supe dhimbjen e humbjes së nënës së tij. Mes shqetësimeve për sistemin shëndetësor dhe kërkesës për ndryshim, ai ndau një histori personale që e ktheu protestën në një thirrje të fortë për atë që, sipas tij, nuk funksionon në shëndetësinë shqiptare.
I riu kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar mazhorancën se nuk ka marrë parasysh problematikat e ngritura nga studentët gjatë protestave. Ai kujtoi edhe protestat e mëparshme të të rinjve, për të cilat tha se janë përballur me përbuzje, ndërsa shqetësimet e tyre vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
Por momenti më i dhimbshëm erdhi kur foli për nënën e tij, të cilën e ka humbur nga kanceri i gjakut. Përtej diplomës dhe njohurive që ka fituar në auditorët e fakultetit, ai tregoi se përvoja personale e ka përballur me një realitet të vështirë: mungesat në trajtimet onkologjike dhe kimioterapitë që ofrohen në vend.
“Unë timen e kam humbur nga kanceri i gjakut dhe nuk e ndiej që kam bërë maksimumin ndaj saj, sepse ka shumë mungesa në pjesën e trajtimeve dhe kimioterapitë që ofrohen”, u shpreh ai me emocion.
Janë fjalë që vijnë nga një dhimbje personale, por që ngrenë edhe një shqetësim më të gjerë për pacientët dhe familjet që përballen me sëmundje të rënda. Për një familjar, çdo ditë e humbur dhe çdo vështirësi në trajtim mund të kthehet në një barrë të rëndë, ndërsa për një të ri që sapo ka përfunduar studimet për mjekësi, përvoja e humbjes së nënës mbetet një plagë që nuk mbyllet me diplomim.
Ai theksoi se solidariteti me studentët që protestojnë është një nga arsyet pse ka dalë në rrugë, duke nënvizuar se problematikat e tyre nuk janë adresuar nga qeveria. Për të, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit lidhet me përgjegjësinë që, sipas tij, duhet të mbahet për situatën në vend.
Historia e tij i jep protestës një tjetër dimension: pas pankartave, thirrjeve dhe kërkesave politike, janë edhe përvoja njerëzore që nuk mund të përmblidhen në slogane. Një i ri që zgjodhi Mjekësinë për t’u përballur me sëmundjet dhe për të ndihmuar njerëzit, sot ngre zërin për sistemin ku familja e tij u përball me një betejë që përfundoi me humbjen më të madhe.