Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të organizojë sot, më 23 tetor, ceremoninë solemne të betimit të rekrutëve të rinj të gjeneratës 02/2026.
Ceremonia do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 15:00.
Në këtë ngjarje të rëndësishme pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, drejtues ushtarakë, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së, si dhe familjarë të rekrutëve.
Pas përfundimit të trajnimeve ushtarake, rekrutët e rinj do të japin betimin për t'i shërbyer Republikës së Kosovës, duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet që u takojnë si pjesëtarë të FSK-së.
Kjo ceremoni shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre ushtarak dhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Numri i saktë i rekrutëve që do të betohen sot ende nuk është bërë i ditur.
Një gjeneratë e re në shërbim të atdheut!