Studentët kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama ‘zhvesh’ 20 drejtorë të administratës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.10.2026, 10:40

Në ditën e njëmbëdhjetë të protestave studentore, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës vijon të jetë në qendër të revoltës së të rinjve, kryeministri ka vendosur të hapë një tjetër front brenda administratës shtetërore, atë të dorëheqjeve të drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive. Urdhri u është komunikuar ministrave më 22 tetor, ndërsa procesi pritet të nisë sot, më 23 tetor, me afat deri të hënën, më 26 tetor, për dorëzimin e dorëheqjeve dhe raporteve të punës. Nga procesi përjashtohen institucionet e arsimit, shëndetësisë dhe Policia e Shtetit.

Emrat e drejtuesve që preken nga kërkesa për dorëheqje

Ministria e Financave

  • Ilir Binaj – drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
  • Besmir Beja – drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
  • Etugert Llazi – drejtues i Qendrës Kombëtare të Biznesit.
  • Jonaid Myzyri – drejtues i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.

Infrastruktura dhe energjia

  • Ami Kozeli – drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
  • Viola Haxhiademi – drejtuese e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
  • Elisian Bici – drejtues i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
  • Eltar Deda – drejtues i Albpetrolit.
  • Ergys Verdho – drejtues i Hekurudhës Shqiptare.
  • Dritan Isaku – drejtues i Albcontrol.

Drejtësia dhe administrimi i vendimeve gjyqësore

  • Sadleva Bodo – drejtuese e Përgjithshme e Burgjeve.
  • Ergys Qirici – drejtues i Përgjithshëm i Përmbarimit.
  • Besmir Kola – drejtues i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.
  • Valdrin Pjetri – drejtues i Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
  • Eduard Merkaj – drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Agjencitë e tjera shtetërore

  • Silda Anagnosti Çepe – drejtuese e IdentiTek.
  • Ervin Koçi – drejtues i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
  • Laura Plaku Saro – drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
  • Ardita Kuçi – drejtuese e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
  • Marjeta Përlala – drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Procesi shtrihet edhe te drejtoritë rajonale në varësi të ministrive, çka e zgjeron ndjeshëm numrin e funksionarëve që mund të preken. Megjithatë, deri tani nuk ka një listë të plotë zyrtare për drejtuesit rajonalë dhe as konfirmim individual se të gjithë emrat e përmendur i kanë dorëzuar apo u janë pranuar dorëheqjet.

Një nga rastet që ngre pikëpyetje mbi kriteret e këtij procesi është ai i Sadleva Bodos, e cila, sipas të dhënave të bëra publike, mori drejtimin e Burgjeve më 14 tetor, vetëm nëntë ditë përpara nisjes së kërkesave për dorëheqje.

Cilat janë rezultatet që nuk kanë përmbushur pritshmëritë? Cilat janë kriteret që do të përcaktojnë se kush largohet dhe kush rikthehet? Dhe mbi të gjitha, a bëhet fjalë për një vlerësim të mirëfilltë të performancës apo për një riorganizim të administratës në një moment të fortë presioni politik? Deri tani, nuk është bërë publik një shpjegim i hollësishëm që t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve. Përjashtimi i arsimit, shëndetësisë dhe Policisë së Shtetit është gjithashtu një element që kërkon sqarim mbi logjikën dhe shtrirjen e procesit.

Në sfond, studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa qeveria kërkon dorëheqjet e drejtuesve që varen prej saj. Përplasja mes dy kërkesave e kthen administratën në një tjetër pikë të debatit politik, por pa sqaruar ende nëse kjo lëvizje lidhet drejtpërdrejt me protestat apo me një proces të planifikuar vlerësimi institucional. Përballë kërkesës për dorëheqje, përse Rama kërkon shkarkimin e drejtorëve brenda administratës shtetërore?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit