“Kam nënën shumë të sëmurë e vajzën në fakultet”, si Leli Kaja bindi gjykatën për t’i shpëtuar burgut

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.10.2026, 07:29

Administratori i shoqërisë aksionere “Eco-Elb”, Leli Kaja, ka mundur të zbusë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, pas shqyrtimit të kërkesës në gjykatë nga gjyqtari Bib Ndreca. Para trupit gjykues, Kaja argumentoi se nëna e tij ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk kishte kush të kujdesej për të, ndërsa vajza sapo ishte regjistruar në fakultet. Ai nuk pranoi të mbrohej nga një avokat i caktuar kryesisht, pasi avokati i zgjedhur nuk ishte paraqitur në seancë për shkak të bojkotit.

Gjatë arrestimit, dy oficerë të BKH-së i gjetën Kajës në xhep 4 milionë lekë të vjetra, para që, sipas hetimeve, i ishin dhënë pak minuta më parë nga biznesmeni Artan Topi, i kompanisë “Arteo-218”. Ndërkohë, në zyrën e administratorit u gjetën edhe 28 mijë euro, por SPAK nuk ka arritur të vërtetojë nëse këto para kishin prejardhje nga korrupsioni apo lidheshin me aktivitetin tregtar të kompanisë. Prokurori Arben Kraja kërkoi caktimin e masës “arrest në burg”, duke argumentuar se masat e tjera nuk ishin të përshtatshme.

Gjykata vlerësoi se ekzistojnë prova dhe indicie të mjaftueshme për dyshimin e arsyeshëm mbi kryerjen e veprës penale, por çmoi se arresti në burg ishte një masë e rëndë për rastin konkret. Në vendimin e saj, ajo mori parasysh mungesën e precedentëve penalë, sjelljen e Kajës, rrethanat e arrestimit dhe gjendjen familjare, përfshirë shëndetin e nënës së tij. Gjithashtu, gjykata theksoi se prokuroria nuk kishte argumentuar pse arresti në shtëpi nuk do të përmbushte nevojat e sigurimit dhe se shuma prej 28 mijë eurosh nuk mund të përdorej, në këtë fazë, si argument për rëndimin e masës së sigurisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit