Qytetarët e Kosovës do të përballen me ndryshime në çmimet e ujit duke filluar nga viti 2027.
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka publikuar tarifat e reja për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, të cilat përfshijnë shtatë Kompanitë Rajonale të Ujit dhe ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”.
Sipas të dhënave të publikuara, një familje në Prishtinë që shpenzon mesatarisht 15 metra kub ujë në muaj, aktualisht paguan rreth 9.52 euro vetëm për ujë, ndërsa nga viti 2027 kjo shumë do të rritet në 10.11 euro.
Kjo nënkupton një rritje prej 59 centësh në muaj, apo rreth 7.08 euro më shumë në vit, pa përfshirë tarifat e kanalizimit dhe pagesat e tjera.
ARRU ka bërë të ditur se tarifat e reja janë përcaktuar duke marrë parasysh shpenzimet operative, kostot e energjisë elektrike, mirëmbajtjen e rrjeteve dhe investimet e nevojshme në infrastrukturën e ujësjellësit.
Çmimet nuk do të jenë të njëjta në të gjitha komunat, pasi ato ndryshojnë sipas kompanive rajonale dhe kategorive të konsumatorëve, përfshirë familjet dhe bizneset.
Ndryshimet janë pjesë e procesit tarifor për periudhën 2026–2028.
Pas shtrenjtimit të vazhdueshëm të kostos së jetesës, qytetarët tani do të duhet të llogarisin edhe ndryshimet në pagesat e ujit.
Po ju, sa paguani aktualisht për ujë në muaj dhe në cilën komunë jetoni?.