“Mbylle telefonin”, i riu: S’kisha lidhje me protestën, policia më arrestoi dhe më dhunoi!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.10.2026, 00:06

Një tjetër denoncim shqetësues për sjelljen e Policisë së Shtetit ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Një i ri shprehetse të dielën, rreth orës 20:45, ai dhe dy persona të tjerë janë shoqëruar me dhunë nga policia në zonën e kryqëzimit pranë Tajvanit, në Tiranë, ndonëse, sipas tij, nuk kishin asnjë lidhje me protestën.

I riu thotë se shoqërimi ka qenë i padrejtë dhe se, pas ndërhyrjes së efektivëve, situata është përshkallëzuar në dhunë fizike. Ai pretendon se është rrahur barbarisht dhe se ka përfunduar në spital për shkak të dëmtimeve të marra.

Në mbështetje të denoncimit të tij, ai i ka dërguar redaksisë një video të shkurtër, ku ka arritur të regjistrojë momentin kur efektivët i afrohen. Në pamje dëgjohet njëri prej tyre t'i drejtohet me tone të ashpra: “Mbylle telefonin!” Menjëherë pas kësaj, regjistrimi ndërpritet.

Sipas të riut, ai po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok dhe e ndërpreu transmetimin pasi efektivët nisën t'i bënin presion. Ai pretendon se dhuna ka ndodhur pas ndërprerjes së videos, ndaj momentet që përshkruan nuk janë të regjistruara në materialin e dërguar.

I riu tregon se është mbajtur rreth 8 orë dhe se më pas ka përfunduar në spital, ndërsa pretendon se edhe dy personat e tjerë që ndodheshin me të janë shoqëruar nga policia.

Por pyetja që ngre ky denoncim është e rëndë: Mbi ç'bazë u shoqëruan këta tre persona dhe si u përcaktua se kishin lidhje me protestën? A mjafton të ndodhesh në një zonë ku ka tensione që të përfundosh i ndaluar, pa pasur lidhje me ngjarjet?

Gjatë ditëve të fundit, në redaksinë tonë kanë mbërritur denoncime të ndryshme për shoqërime dhe pretendime për dhunë policore në kontekstin e protestave. Çdo rast duhet të verifikohet, por pretendime të tilla nuk mund të kalojnë në heshtje, sidomos kur bëhet fjalë për lirinë dhe sigurinë e qytetarëve.

Nëse pretendimet e të riut konfirmohen, çështja kërkon një sqarim serioz mbi mënyrën si u krye shoqërimi dhe mbi sjelljen e efektivëve të përfshirë.

JOQ Albania është e hapur për reagimin e Policisë së Shtetit lidhur me këtë rast dhe rrethanat e shoqërimit të tre personave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit