Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën, ku një grua e diagnostikuar me kancer të avancuar të gjirit ka ndërruar jetë, pasi për rreth katër muaj kishte mbetur pa terapinë e nevojshme për trajtimin e sëmundjes.
Rasti është denoncuar nga organizata “Renesansa”, e cila ka bërë të ditur se pacientja trajtohej me ilaçin Palbociclib, por për shkak të mungesës së tij në Klinikën e Onkologjisë në QKUK dhe pamundësisë financiare për ta blerë vetë, kishte ndërprerë trajtimin.
Ky medikament, edhe pse pjesë e Listës Esenciale të Barnave, kishte munguar për afro katër muaj, ndërsa çmimi për pacientët që detyrohen ta sigurojnë privatisht arrin deri në 1,800 euro.
Sipas organizatës, pacientja kishte qenë në gjendje të mirë gjatë marrjes së terapisë, por gjatë muajve pa trajtim iu shfaqën metastaza të reja në tru. Më pas, ajo humbi jetën.
“Çdo ditë shpresonte se do të kishte furnizim. Por mungesa e terapisë i solli metastaza të reja në tru. Dhe… në fund humbi jetën”, thuhet në reagimin e organizatës.
“Renesansa” ka kërkuar përgjegjësi nga QKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, duke theksuar se sigurimi i barnave esenciale për pacientët me kancer është detyrim moral dhe institucional.
Rasti ngre shqetësime serioze për mungesën e barnave jetike në sistemin shëndetësor të Kosovës, ndërsa lidhja e drejtpërdrejtë mes ndërprerjes së terapisë dhe vdekjes së pacientes mbetet e pakonfirmuar nga një vlerësim mjekësor i pavarur.