Jakup Krasniqi refuzon kujdesin mjekësor në Hagë: Më është mohuar çdo e drejtë njerëzore prej 6 vitesh

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21.10.2026, 20:31

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka vendosur të refuzojë kujdesin mjekësor në Hagë, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj trajtimit që pretendon se po i bëhet nga institucionet atje.

Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Gresa Krasniqi, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka treguar detaje nga një bisedë telefonike me të atin.

Sipas saj, Krasniqi ka refuzuar kontrollin nga disa mjekë dhe ka deklaruar se nuk do të pranojë më asnjë shërbim mjekësor nga institucionet në Hagë.

“Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, ka cituar Gresa fjalët e babait të saj.

E shqetësuar për gjendjen shëndetësore të të atit, ajo ka theksuar se mosha e tij kërkon përkujdesje të veçantë, ndërsa është shprehur e pafuqishme përballë vendimit të tij.

“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka shkruar ajo.

Në fund, Gresa i ka drejtuar një mesazh emocional babait të saj:

“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm”.

Sipas deklarimit të saj, Krasniqi është dënuar me 25 vite burgim një muaj më parë, vendim të cilin familja e konsideron të padrejtë.

Refuzimi i kujdesit mjekësor ka shtuar shqetësimin e familjarëve për shëndetin e tij, ndërsa nuk ka ende një reagim të institucioneve në Hagë lidhur me deklarimet e bëra publike nga vajza e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit