374,652 përfitues janë regjistruar në skemën e shtesave për fëmijë në Kosovë gjatë muajit shtator 2026, ndërsa për pagesat e tyre janë shpenzuar mbi 13.5 milionë euro.
Këto shifra janë bërë publike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin e fundit për mirëqenien sociale, ku pasqyrohen edhe shpenzimet për pensionet dhe skemat e tjera të mbështetjes financiare.
Sipas të dhënave, për pensionet bazike të moshës janë ndarë mbi 27.6 milionë euro për 172,721 përfitues, ndërsa 47,738 pensionistë kontributpagues kanë përfituar rreth 11.7 milionë euro.
Ndërkohë, nga skema e pensioneve të veteranëve të luftës kanë përfituar 39,699 persona, për të cilët janë paguar mbi 7.8 milionë euro. Për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë ndarë rreth 3.8 milionë euro.
Raporti tregon gjithashtu se 14,664 familje kanë përfituar ndihmë sociale, me një shumë totale prej rreth 2.2 milionë eurosh.
Sa u përket lehonave, 6,817 nëna të papunësuara kanë përfituar mbështetje financiare prej 3.42 milionë eurosh, ndërsa për 2,176 lehona të punësuara janë ndarë rreth 1.1 milion euro.
Të dhënat e ASK-së tregojnë për shtrirjen e skemave sociale në Kosovë, të cilat mbështesin fëmijët, pensionistët, nënat e reja dhe familjet në nevojë.