Rama: Pas protestës qëndrojnë neo-komunistët e ANTIFA

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 21.10.2026, 12:36

Kryeministri Edi Rama ka vijuar sulmet ndaj studentëve që protestojnë, duke i etiketuar ata si të radikalizuar dhe duke pretenduar se pas protestave qëndrojnë lëvizje anarkiste, krimi i organizuar dhe forca të huaja. Në vend që të dëgjojë kërkesat e drejtpërdrejta të të rinjve, Rama ka zgjedhur t’i paraqesë ata si pjesë të një skenari të orkestruar për të destabilizuar Shqipërinë.

Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar, kreu i qeverisë përdori një retorikë të ashpër, duke e cilësuar lëvizjen si dhunë të lidhur me rrjetin anarkist neo-komunist ANTIFA dhe pjesë të radikalizuara të rinisë. Rama shkoi edhe më tej duke i krahasuar thirrjet e të rinjve me retorikën e mesjetës apo të pasluftës, me qëllim për t’i ulur legjitimitetin protestës dhe për t'i paraqitur studentët jo si qytetarë me pakënaqësi reale, por si mjete të interesave të tjera.

Në shënjestër të kryeministrit ranë edhe pedagogët që u solidarizuan me studentët, të cilët ai i akuzoi se po i japin jehonë dhunës në ekrane. Përmes kësaj deklarate, Rama barazoi qëllimisht mbështetjen akademike për të drejtën e protestës me përkrahjen e akteve të dhunshme, duke anashkaluar faktin se solidarizimi me kërkesat studentore nuk nënkupton mbështetje për dhunën.

Në fund, Rama tentoi të bëjë një ndarje artificiale mes atyre që ai i quajti "elementë të dhunshëm" dhe studentëve apo shoqërisë reale. Me këtë narrativë, kryeministri u përpoq të nxjerrë protestuesit aktualë nga kuadri i studentëve të zakonshëm që kërkojnë ndryshim, duke u mohuar atyre përfaqësimin e kërkesave rinore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit