Raprezalja policore ngre pikëpyetje të forta në Tiranë. Pak minuta më parë, efektivë të Policisë janë futur në një lokal në qendër të kryeqytetit dhe kanë shoqëruar me forcë dy të rinj, duke i dërguar drejt furgonit të policisë.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë, njëri prej të rinjve kundërshton shoqërimin, duke deklaruar se nuk ka qenë pjesë e protestës. Por mbi çfarë baze u identifikuan dhe u shoqëruan këta persona? Si e përcakton Policia nëse dikush ka marrë pjesë në protestë, kur ata gjenden brenda një lokali?
Situata bëhet edhe më shqetësuese kur, në një moment të videos, një efektiv përplas një gazetare që po filmonte shoqërimin e të rinjve.
A po kthehet qendra e Tiranës në një zonë ku të rinjtë mund të ndalohen edhe brenda lokaleve, ndërsa gazetarët që dokumentojnë veprimet e policisë përballen me forcë?
Policia e Shtetit duhet të sqarojë arsyet e shoqërimit të dy të rinjve dhe sjelljen e efektivit ndaj gazetares. Qytetarët dhe gazetarët kanë të drejtë të dinë se mbi çfarë baze po kryhen këto veprime.