Një qytetare nga diaspora ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Kosova një situatë të pazakontë, me të cilën është përballur gjatë udhëtimit nga Prishtina drejt Baselit, së bashku me djalin e saj 13-vjeçar.
Sipas denoncimit, djali kishte thyer dorën rreth tri javë më parë dhe vazhdonte ta mbante në gips, ndonëse nuk kishte dhimbje apo shqetësime të tjera shëndetësore. Nëna pretendon se në Aeroportin e Prishtinës nuk e kanë lejuar djalin të vazhdojë udhëtimin drejt Zvicrës.
Për këtë arsye, ajo është drejtuar në klinikën Avicena Plus, ku ka paguar 25 euro për një raport mjekësor që konfirmonte se fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe mund të udhëtonte me aeroplan.
Por ajo që ka habitur qytetaren është gabimi në dokumentin mjekësor. Djalit 13-vjeçar i është shënuar mosha 126 vjeç dhe datëlindja 05.07.1900!
“Aq të paaftë janë, ia kanë bërë djalit tim moshën 126 vjet dhe ia kanë ngatërruar datëlindjen”, shprehet qytetarja e revoltuar.
Ajo thotë se në Basel i kanë konfirmuar se djali mund të udhëtonte pa problem me dorën në gips, ndërsa kritikon trajtimin që pretendon se ka marrë në Aeroportin e Prishtinës.
Ju kisha lutur të gjithëve, mos i keqtrajtoni mërgimtarët!”, është apeli i saj.
Fotografitë e dërguara në redaksi tregojnë gabimin në raportin mjekësor, si dhe faturën prej 25 eurosh.
Si është e mundur që një fëmijë 13-vjeçar të regjistrohet si 126-vjeçar në një raport mjekësor? Kush mban përgjegjësi për gabime të tilla.
