Një qytetare nga Kosova ka ngritur akuza të rënda ndaj rrjetit spitalor privat “Sante Plus”, që operon në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar se është mashtruar lidhur me një ndërhyrje kirurgjikale estetike, pas së cilës thotë se ka mbetur me dëmtime të dukshme në fytyrë dhe pranë veshit.
Në denoncimin e mbërritur në redaksinë e JOQ Kosova, qytetarja rrëfen se marrëveshjen për operacionin e kishte bërë në Kosovë, ku, sipas saj, i ishte premtuar se ndërhyrja do të realizohej nga kirurgë të specializuar turq.
Megjithatë, ajo pretendon se kur është paraqitur për operacion në Shkup, ndërhyrja është kryer nga një kirurge maqedonase, pa marrë më parë pëlqimin e saj për këtë ndryshim.
“Më kishin premtuar se operacioni do të bëhej nga kirurgë turq. Ndërhyrja duhej të ishte vetëm me një prerje rreth 2 centimetra pas veshit, por më kanë lënë me dëmtime në fytyrë dhe më duket se më kanë dëmtuar edhe veshin. Prej dy vitesh po vuaj pasojat”, shprehet qytetarja në denoncimin e saj.
Sipas saj, për ndërhyrjen kishte paguar rreth 4,000 euro, shumë të cilën pretendon se spitali nuk ia ka kthyer, pavarësisht problemeve që thotë se ka përjetuar.
Por denoncimi nuk përfundon këtu. Qytetarja pretendon se për t'u dërguar në Turqi për një ndërhyrje korrigjuese, për të cilën thotë se fillimisht i ishte premtuar se do të realizohej pa pagesë shtesë, i janë kërkuar edhe 2,000 euro të tjera.
Ajo deklaron se disponon edhe një regjistrim audio që, sipas saj, dëshmon premtimin për korrigjimin pa kosto shtesë.
Gjithashtu, pacientja akuzon spitalin se nuk i ka vënë në dispozicion dosjen mjekësore dhe dokumentacionin e operacionit, pavarësisht kërkesave që pretendon se janë bërë edhe përmes avokatëve.
Qytetarja thotë se tashmë ka angazhuar zyrtarisht një avokat në Shkup për të ndjekur çështjen në rrugë ligjore dhe për të kërkuar përgjegjësi për dëmet që pretendon se i janë shkaktuar.
Në redaksinë tonë ajo ka dërguar fotografi ku shihen shenja të dukshme pranë veshit dhe në pjesën anësore të fytyrës, si dhe një faturë fiskale nga Maqedonia e Veriut me vlerë 240,340 denarë.
Pacientja kërkon që rasti i saj të bëhet publik, me qëllim që institucionet përgjegjëse të hetojnë pretendimet e saj dhe qytetarët e tjerë të informohen për përvojën që ajo thotë se ka kaluar.
JOQ Kosova i bën thirrje spitalit Sante Plus të japë një sqarim publik mbi këto pretendime, përfshirë identitetin dhe kualifikimet e kirurgut që ka realizuar ndërhyrjen, dokumentacionin mjekësor dhe kërkesën e pretenduar për pagesë shtesë.
Pretendimet e pacientes nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur dhe nuk përbëjnë konstatim të përgjegjësisë mjekësore apo penale. Redaksia mbetet e hapur për reagimin e spitalit.


