Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje për dialog protestuesve, pas shtatë ditësh protestash të dhunshme, përplasjesh me policinë dhe sulmesh ndaj institucioneve. Në shenjë simbolike, para godinës së Kryeministrisë janë vendosur karrige në formë rrethore, të shoqëruara me pankarta ku shkruhet “DIALOG”, si një ftesë e hapur për diskutim.
“Kush do dialog, pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë. Unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë”, deklaroi Rama, duke theksuar se nuk janë të mirëpritur ata që ushtrojnë dhunë apo nuk distancohen prej saj.
Përgjigjja e protestuesve ka ardhur përmes një mesazhi të vendosur mbi njërën prej karrigeve, ku shkruhet “Jep dorëheqjen”. Me këtë reagim, ata kanë refuzuar ofertën e dialogut në këto kushte, duke këmbëngulur në largimin e kryeministrit nga detyra.