Kryeministri Edi Rama ka dënuar sërish dhunën gjatë protestave, duke u ndalur te gurët e shkulur nga trotuaret e Rrugës së Durrësit, të cilët, sipas tij, janë përdorur kundër forcave të Policisë. Gjatë një konference për mediat me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, Rama e cilësoi këtë sjellje si “burimin e helmuar” të protestës, duke pretenduar se dhuna po e zhvendos vëmendjen nga çështjet e arsimit dhe po krijon përshtypjen e një revolte studentore të shoqëruar me akte të dhunshme.
Kreu i qeverisë theksoi se studentët që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar nuk janë problemi, por grupet që, sipas tij, i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik. Rama u shpreh se po tentohet të justifikohet vala e dhunës në emër të protestës studentore, ndërsa bëri dallimin mes së drejtës për të protestuar dhe përdorimit të forcës ndaj policisë.
Gjatë konferencës, Rama u shfaq me një gur në dorë për të ilustruar rrezikshmërinë e goditjeve ndaj efektivëve të policisë. “Është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se përdorimi i gurëve shënon kufirin mes ushtrimit të së drejtës për protestë dhe akteve të dhunshme. Ai e mbylli argumentin e tij me mesazhin: “Ky gur përcakton ku mbaron e drejta e protestës”.