Një qytetare ka denoncuar pranë JOQ Kosova një rast të dyshuar të ngacmimit seksual nga një punonjës i kompanisë Viva Fresh, i cili, sipas saj, fillimisht i kishte premtuar se do ta ndihmonte të punësohej.
Gruaja, e cila është nënë dhe kujdeset për një fëmijë të sëmurë, tregon se numrin e kontaktit të punonjësit e kishte siguruar përmes një të afërmi. Pasi e kishte kontaktuar, ai i kishte thënë se do të bisedonte me menaxherin dhe se ajo mund të fillonte punën të mërkurën.
Por, sipas denoncueses, në vend të komunikimit profesional për punësimin, punonjësi kishte nisur t'i dërgonte mesazhe personale, duke e ftuar për darkë, për kafe, madje edhe në shtëpinë e tij.
Ajo pretendon se për dy net radhazi është shqetësuar nga telefonatat e tij deri në orën 02:00 pas mesnate.
“Jam nënë me fëmijë të sëmurë dhe ai më ka shqetësuar deri në orën 2 të natës”, shprehet qytetarja.
Denoncuesja thotë se është paraqitur personalisht në ambientet e Viva Fresh për të bërë ankesë. Sipas saj, përfaqësues të kompanisë i kishin premtuar largimin e punonjësit nga puna dhe i kishin ofruar një vend pune, por ajo pretendon se shqetësimi i saj nuk është trajtuar seriozisht.
Gruaja deklaron se disponon edhe bisedat në WhatsApp, të cilat, sipas saj, dëshmojnë komunikimet dhe ftesat e papërshtatshme.
Rasti ngre pikëpyetje për mënyrën se si trajtohen ankesat për ngacmime të mundshme në vendin e punës.
JOQ Kosova mbetet e hapur për një reagim nga kompania Viva Fresh lidhur me pretendimet e qytetares.






