Fadili është vetëm 16-vjeç, por jeta e ka vënë përballë vështirësive që asnjë adoleshent nuk duhet të përjetojë. I ati i ka ndërruar jetë vetëm dy javë më parë, ndërsa familjes i është ndërprerë edhe ndihma ekonomike. Mes dhimbjes për humbjen e babait dhe vështirësive për të përballuar jetesën, ai ka gjetur veten në rrugë, mes protestuesve në Tiranë.
I riu nga Bërxulla u shoqërua në polici pas protestës. Por pas emrit të tij nuk qëndron thjesht historia e një adoleshenti që u gjend mes protestuesve. Qëndron historia e një 16-vjeçari që duhet të përballet me mungesën e të ardhurave, ndërsa familja e tij po kalon një nga periudhat më të vështira të jetës.
Fadili ndjek shkollën profesionale në Kamëz, ku studion për Teknologji Informacioni. Çdo ditë përpiqej të shkonte në shkollë me biçikletë, por tashmë edhe ajo i është prishur. Për një djalë të moshës së tij, shqetësimet duhet të ishin mësimet, shokët dhe ëndrrat për të ardhmen. Për Fadilin, ato janë zëvendësuar nga hallet e një familjeje që ka humbur të atin dhe që, sipas tij, nuk merr më as ndihmën ekonomike.
“Babi s’ka shumë që ka vdekur, nja dy javë”, rrëfen ai, duke treguar edhe arsyen që e ka çuar në protestë: ndërprerjen e ndihmës ekonomike për familjen.
Historia e Fadilit është një kujtesë e dhimbshme se pas protestave nuk ka vetëm turma, përplasje dhe slogane. Ka edhe të rinj që dalin në rrugë duke mbartur hallet e shtëpisë, në një moshë kur duhej të mendonin vetëm për shkollën dhe të ardhmen e tyre.
Një 16-vjeçar që sapo ka humbur babanë, që përpiqet të vazhdojë shkollën dhe që thotë se familjes i është hequr ndihma ekonomike. Kjo është historia e Fadilit, i cili pas protestës përfundoi në komisariat.