31-vjeçar shqiptar zhduket në Itali, i gjendet makina e djegur: Familja kërkon ndihmë për gjetjen e tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.10.2026, 00:51

Një familje shqiptare po përjeton ditë ankthi, pasi ka humbur çdo kontakt me të afërmin e saj, Denaldo Maxhallaku, 31 vjeç, i cili rezulton i zhdukur në Itali.

Sipas familjarëve, kontakti i fundit me Denaldon ka qenë më 7 tetor 2026, rreth orës 20:30, në zonën e Savignano sul Rubicone, në provincën Forlì-Cesena.

Shqetësimi u shtua edhe më shumë të nesërmen, kur makina e tij, një Fiat Punto e zezë, u gjet e djegur në zonën e Roncofreddo, pranë lumit Rubicone. Mediat italiane raportuan se në zonën ku u gjet automjeti nuk kishte asnjë gjurmë të 31-vjeçarit, ndërsa kërkimet për gjetjen e tij u vunë në lëvizje me angazhimin e forcave të rendit dhe ekipeve të shpëtimit.

Familja thotë se për rastin është bërë denoncimi pranë autoriteteve italiane, por ende nuk ka informacion të ri për fatin e Denaldos. Të afërmit kërkojnë gjithashtu përfshirjen dhe ndihmën e institucioneve shqiptare për gjetjen e tij.

Kushdo që mund ta ketë parë Denaldon, ka informacion për lëvizjet e tij apo mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave, lutet të kontaktojë familjen ose autoritetet italiane.

Familja apelon për ndihmë dhe kërkon që ky njoftim të shpërndahet sa më shumë. Çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm për gjetjen e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit