Një moment tepër i rrezikshëm është regjistruar gjatë ditës së pestë të protestës së studentëve dhe të rinjve në Tiranë, ku një automjet policie për pak sa nuk ka përplasur një të ri gjatë ndjekjes së tij.
Siç shihet në pamje, i riu vrapon për t'u larguar, ndërsa një automjet policie me sinjalet e emergjencës të aktivizuara lëviz me shpejtësi pranë tij. Në një moment, distanca mes automjetit dhe të riut ngushtohet ndjeshëm, duke krijuar një situatë të rrezikshme që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda.
I riu arrin të shmangë automjetin dhe të largohet me vrap drejt sheshit Skënderbej, duke i shpëtuar përplasjes. Fatmirësisht, nga pamjet nuk konstatohet që ai të jetë goditur nga makina.
Ngjarja vjen në ditën e pestë të protestave masive të studentëve dhe të rinjve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë për korrupsionin, gjendjen e arsimit dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Protestat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ndërsa përdorimi i forcës nga policia ka ngritur shqetësime të vazhdueshme.
Pamjet e këtij incidenti ngrenë pyetje serioze mbi mënyrën se si po zhvillohen ndjekjet policore gjatë protestave dhe rrezikun që mund t'u shkaktohet qytetarëve.
A ishte e nevojshme që një automjet policie t'i afrohej në atë mënyrë një të riu që po largohej me vrap, duke rrezikuar ta përplaste?