Një ngjarje e pazakontë është denoncuar publikisht nga një shtetas amerikan, i identifikuar si Philip Gilpin Jr., i cili pretendon se është ndaluar dhe shoqëruar përkohësisht nga një grup burrash të padeklaruar gjatë një vizite në sheshin kryesor të Tiranës.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka ndodhur teksa ai po ecte në qendër të qytetit dhe ishte ndalur për të shkëmbyer disa fjalë me një grup adoleshentësh.
Gjatë kohës së ndalimit, Gilpin tregon se u mor në pyetje nga dy persona që i cilëson si oficerë. Pasi u prezantua si shtetas amerikan nga Boston dhe tregoi dokumentin e tij të identitetit (patentën amerikane), autorët e dyshuar i fotografuan dokumentin dhe atë vetë.
"Pas rreth 10 minutash përpjekjeje për frikësim, më lanë të shkoja," – shprehet Gilpin Jr. në dëshminë e tij, duke shtuar se adoleshentët u mbajtën për t'u shoqëruar.
Gjithashtu, ai ka ngritur shqetësimin se ky nuk ishte një rast i izoluar, pasi pretendon se ka qenë dëshmitar i të paktën tre incidenteve të tjera të ngjashme gjatë po atij mëngjesi, ku persona të ngjashëm ndalonin të rinj të tjerë në të njëjtën zonë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dalë ende me një njoftim zyrtar apo reagim lidhur me pretendimet e ngritura nga shtetasi amerikan.
