Qytetarët e disa komunave të Kosovës do të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike të shtunën, më 17 tetor. KEDS ka paralajmëruar se në disa zona ndërprerjet do të zgjasin deri në 9 orë e gjysmë.
Sipas njoftimit, ndërprerjet do të prekin Prishtinën, Fushë Kosovën, Dragashin, Kaçanikun, Hanin e Elezit, Ferizajn, Drenasin, Lipjanin, Vushtrrinë dhe Gjakovën.
Më së shumti pritet të preken disa konsumatorë në Prishtinë, konkretisht në Arbëri dhe në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku energjia elektrike do të ndërpritet nga ora 08:30 deri në 18:00.
Në Fushë Kosovë, ndërprerjet janë paralajmëruar nga ora 09:30 deri në 14:00, duke përfshirë Mesbardhin, Bardhin e Vogël, Albanën e Vogël, Sllatinën e Vogël dhe zona të tjera përreth.
Në Dragash, banorët e Bllacit, Brodosanës, Buzezit, Kukit, Kuklibegut dhe Zaplluxhës pritet të mbeten pa energji elektrike nga ora 09:00 deri në 17:00.
Në Gjakovë, ndërprerjet do të zgjasin tetë orë, nga ora 10:00 deri në 18:00, duke prekur Cërmjanin, Becin, Bardhaniqin, Doblibarën, Jabllanicën, Rashkocin, Zhabelin dhe disa fshatra të tjera.
Ndërkohë, në Vushtrri, disa rrugë të qytetit dhe zona përreth do të mbeten pa energji nga ora 10:00 deri në 15:00.
Ndërprerje më të shkurtra, kryesisht prej një ore, janë paralajmëruar edhe në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj dhe disa vendbanime të Drenasit e Lipjanit.
KEDS ka bërë të ditur se këto ndërprerje janë të planifikuara dhe lidhen me punimet investive, ndërrimin e transformatorëve, rregullimin e pajisjeve elektrike dhe përmirësimin e sigurisë së rrjetit.
Megjithatë, ndërprerjet disaoreshe pritet të ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve dhe veprimtarinë e bizneseve në zonat e prekura.