Një rast skandaloz ka tronditur Policinë e Kosovës, ku tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë dyshohen për ngacmim seksual dhe kontrollim të kundërligjshëm ndaj një qytetareje.
Sipas informacioneve të publikuara, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit, pranë rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte të Prishtinës.
Qytetarja ka deklaruar se, teksa po drejtonte automjetin e saj, është ndaluar dhe kontrolluar nga policët. Por ajo që dyshohet të ketë ndodhur më pas është edhe më shqetësuese: sipas denoncimit, zyrtarët policorë e kanë udhëzuar të vazhdonte drejt fshatit Çagllavicë, me qëllim kryerjen e veprimeve me karakter seksual. Pas këtyre pretendimeve të rënda, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre policëve, ndërsa me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është iniciuar procedurë penale.
IPK ka paralajmëruar hetime të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe verifikimin e pretendimeve të qytetares. Nëse këto dyshime vërtetohen, rasti ngre shqetësime serioze për abuzimin me uniformën dhe detyrën e atyre që duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve.
A po keqpërdoret uniforma policore nga individë që në vend të mbrojtjes së qytetarëve, dyshohet se shfrytëzojnë pozitën e tyre?