Të rinj dhe gjimnazistë janë mbledhur këtë të premte në qytetin e Lezhës, për të protestuar në mbështetje të lëvizjes së studentëve. Ndërsa në kryeqytet protesta ka hyrë në ditën e katërt, në Lezhë kjo është hera e parë që të rinjtë dalin në rrugë për të shprehur qëndrimet e tyre.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, protestuesit kanë shkuar në oborret e disa gjimnazeve, ku u kanë bërë thirrje nxënësve të bojkotojnë mësimin dhe t'u bashkohen në protestë. Lëvizja vjen në një kohë kur protestat e studentëve dhe të rinjve po shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit.
Ndërkohë, Policia është në gatishmëri dhe ka dalë në terren për të monitoruar situatën, me qëllim parandalimin e incidenteve të mundshme. Autoritetet po ndjekin zhvillimet, pas tensioneve të regjistruara një ditë më parë në disa qytete të vendit.