Protesta e studentëve në Tiranë vijon mes tensioneve dhe përplasjeve me forcat e policisë. Situata është përshkallëzuar veçanërisht në Rrugën e Durrësit, pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës.
Tensione janë regjistruar edhe pranë hyrjes së sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit kanë vënë në shënjestër një shtyllë të pajisur me kamera sigurie. Në pamjet nga vendngjarja shihen disa persona që e lëkundin me forcë shtyllën, ndërsa disa prej kamerave janë shkëputur nga vendi ku ishin instaluar.
Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar, teksa protesta vijon mes përplasjeve dhe hedhjes së objekteve në drejtim të policisë. Zhvillimet e fundit kanë shënuar një përshkallëzim të situatës në rrugët e kryeqytetit.