Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja e Prokurorisë për ish-deputetin Gani Geci, i cili dyshohet se ka kërcënuar gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të një postimi në Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 11 tetor, rreth orës 19:27, në ambientet e portalit “VOX Kosova”.
Prokuroria pretendon se Geci i ka kërkuar gazetarit ta fshijë ose ta ndryshojë postimin, ndërsa pas refuzimit të tij dyshohet se e ka kanosur me fjalët:
“Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”.
Sipas dokumentit të Prokurorisë, Geci dyshohet se e ka përsëritur kërcënimin, duke i thënë: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.
Por ngjarja nuk përfundon këtu. Sipas dosjes, më 12 tetor, ndërsa Mehmetaj ndodhej si panelist në emisionin “Debat Plus”, Geci dyshohet se kishte shkuar pranë televizionit Dukagjini, ku kishte publikuar edhe një video në TikTok për t'i bërë të ditur gazetarit se ndodhej aty.
Ai dyshohet se e kishte pritur për rreth dy orë që të dilte nga studio.
Prokuroria vlerëson se këto veprime i kanë shkaktuar gazetarit frikë, ankth dhe pasiguri.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata caktimin e paraburgimit ndaj Gecit, i cili dyshohet për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 2, të Kodit Penal të Kosovës.
Geci mbetet i dyshuar dhe gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.