Studentët pritet të rikthehen sot në protestë, me tubimin e radhës të parashikuar të nisë në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protesta vjen një ditë pas tubimit të djeshëm, i cili zgjati rreth nëntë orë.
Ndërkohë, raportime nga qytetarët flasin për lëvizje të shumta të mjeteve të policisë në drejtim të kryeqytetit. Sipas këtyre raportimeve, mbi 10 furgonë të Policisë së Rendit janë nisur nga Vlora drejt Tiranës.
Lëvizje të mjeteve policore janë raportuar edhe në aksin Elbasan–Tiranë, ku qytetarët thonë se kanë parë furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe mjete të forcave “Shqiponja”. Gjithashtu, nga Bradasheshi deri te rrethrrotullimi raportohet për një varg automjetesh policie, kryesisht furgonë të FNSH-së.
Raportime të tjera flasin edhe për nisjen e tre mikrobusëve të FNSH-së nga Shkodra në drejtim të Tiranës.
Pritet të shihet se si do të zhvillohet protesta e sotme dhe cili do të jetë reagimi i institucioneve pas tubimit të gjatë të studentëve një ditë më parë.