Protesta studentore e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat i kanë kushtuar hapësirë të konsiderueshme zhvillimeve përpara institucioneve shtetërore.
Tubimi, që zgjati rreth nëntë orë, u shoqërua me momente të forta tensioni, përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe incidente pranë godinave qeveritare.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters e ka pasqyruar protestën nën titullin “Studentët shqiptarë protestojnë për arsimin, vendet e punës dhe përplasen me policinë”, duke u ndalur te përshkallëzimi i situatës përpara Ministrisë së Arsimit dhe te përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga ana e policisë.
Në raportimin e saj, Reuters thekson se protestuesit hodhën tulla dhe copa betoni në drejtim të ministrisë, ndërsa tubimi për çështjet arsimore dhe sociale mori një kthesë të dhunshme. Agjencia e vendos këtë zhvillim edhe në kontekstin e lëvizjeve studentore që po shfaqen në vende të tjera të Evropës, duke përmendur protestat dhe bllokimet e shkollave në Francë, ku nxënësit kërkojnë më shumë mësues dhe përmirësim të kushteve në institucionet arsimore.
Edhe Al Jazeera e lidh protestën e studentëve me klimën e pakënaqësisë ndaj qeverisë, e cila është shoqëruar me tubime të përsëritura në Tiranë gjatë muajve të fundit. Sipas medias, kërkesat e protestuesve studentorë nuk kufizohen vetëm te arsimi, por ndërthuren edhe me thirrjet më të gjera kundër qeverisë dhe për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Zhvillimet në kryeqytetin shqiptar janë pasqyruar edhe nga media të ndryshme italiane dhe agjencia ANSA, e cila përshkruan përshkallëzimin e protestës përpara Ministrisë së Arsimit dhe përplasjet e dhunshme me forcat e rendit.
Sipas raportimit, qindra persona morën pjesë në tubim, ku u dëgjuan slogane kundër qeverisë dhe u hodhën fishekzjarrë, bojë, vezë dhe gurë të shkëputur nga trotuari.
Ndërkohë, media spanjolle Telecinco i ka kushtuar vëmendje bilancit të protestës, duke raportuar për 23 protestues të arrestuar dhe 20 persona të lënduar, mes tyre edhe efektivë policie. Në raportimin e saj, media thekson se protesta pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë përfundoi me incidente të dhunshme, sipas autoriteteve shqiptare.
Edhe media greke SKAI i ka kushtuar vëmendje protestës studentore në Tiranë, duke vënë në fokus përplasjet e dhunshme dhe hetimet ndaj efektivëve të policisë.
Në artikullin e publikuar me titullin “Përplasje të ashpra në protestat studentore në Shqipëri – Hetim disiplinor për 5 policë”. SKAI ndalet gjithashtu te reagimet kundër mënyrës së trajtimit të protestës, duke cituar shqetësimet për kufizimin e së drejtës së qytetarëve për të ngritur zërin ndaj problematikave që i prekin. Në artikull thuhet se kjo e drejtë po cenohet dhe po përballet me reagime agresive.
Pasqyrimi i protestës nga mediat ndërkombëtare e ka zhvendosur vëmendjen përtej kufijve të Shqipërisë, duke nxjerrë në pah jo vetëm përplasjet e regjistruara në Tiranë, por edhe pakënaqësitë e studentëve lidhur me arsimin, kushtet universitare dhe perspektivën e të rinjve në vend.