Kur rinia kërkon llogari dhe shteti përgjigjet me dhunë, demokracia ka vdekur!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.10.2026, 08:06

Ajo që ndodhi në Tiranë më 13 tetor është shpërthimi i zemërimit të një rinie, së cilës qeveria dhe opozita aktuale i kanë vrarë shpresën për një të ardhme më të mirë në vendin e saj. Pas zemërimit të studentëve qëndrojnë shqetësime për kushtet në universitete, kostot e arsimit, mungesën e mbështetjes financiare dhe pasigurinë për punësimin pas diplomimit. Kur të rinjtë dalin në rrugë për të kërkuar ndryshim, përgjigjja e një shteti demokratik duhet të jetë dëgjimi, dialogu dhe përgjegjësia institucionale, jo frika. Përdorimi i gazit lotsjellës, autoboteve me ujë dhe forcës fizike, ngre pikëpyetje serioze mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjes policore. Policia nuk është pronë e qeverisë dhe nuk është krijuar për të mbrojtur pushtetin nga zemërimi qytetar. Ajo është institucion publik, i detyruar të mbrojë qytetarët, përfshirë ata që kritikojnë qeverinë.

Përgjegjësia politike e Edi Ramës nuk mund të shmanget duke e zhvendosur debatin vetëm te gurët, xhamat e thyer apo përplasjet e rrugës. Kryeministri dhe qeveria e tij duhet të japin përgjigje konkrete, çfarë është përmirësuar realisht në arsimin e lartë që prej protestës së madhe të vitit 2018, çfarë mbetet e pazgjidhur dhe kur do të përmbushen kërkesat e studentëve? Nuk mjafton të flitet për të ardhmen evropiane, nëse të rinjtë nuk shohin një të ardhme të sigurt në vendin e tyre. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës është pjesë e protestës dhe duhet trajtuar si një kërkesë politike që meriton përgjigje. Kryeministri duhet të përballet me llogaridhënien publike, me rezultatet e politikave të tij dhe me të drejtën e qytetarëve për të kërkuar ndryshim.

Ndërkohë, partitë opozitare duhet të kuptojnë se studentët nuk janë turmë për t'u përdorur në betejën e radhës për pushtet. Nëse do t'u vinte keq nuk do t'i bënin fresk qeverisë. Ato duhet të qëndrojnë larg përpjekjeve për ta përvetësuar protestën, për t'i diktuar asaj drejtimin ose për ta kthyer zemërimin e të rinjve në kapital partiak. Institucionet duhet të mbrojnë të drejtën e tyre për t'u dëgjuar, ndërsa çdo akt dhune, nga cilado palë, duhet të hetohet. Kur studentët kërkojnë dinjitet, arsim cilësor dhe përgjegjësi, përgjigjja nuk duhet të jetë dhuna, por dorëheqja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit