Një aksion i madh policor është zhvilluar sot në Fushë Kosovë, ku njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërhyrë me forcë në një banesë, duke arrestuar dy persona.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjithçka nisi pasi një person i nacionalitetit serb dyshohet se kërcënoi me armë një qytetar. Pas identifikimit nga policia, i dyshuari refuzoi t'u bindej urdhrave për ndalim dhe u mbyll brenda banesës së tij.
Në vendngjarje u mobilizuan njësi të shumta policore, përfshirë Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë Speciale Operative dhe njësinë K9. Policia rrethoi zonën dhe për një kohë të gjatë tentoi ta bindte të dyshuarin të dorëzohej pa përdorimin e forcës.
Megjithatë, pas refuzimeve të vazhdueshme, specialët ndërhynë duke thyer derën dhe duke hyrë me forcë në banesë, ku arritën ta arrestonin të dyshuarin.
**Në pranga përfundoi edhe një person tjetër**, i cili ndodhej brenda banesës dhe dyshohet se pengoi zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes.
Në operacion ishin të pranishme edhe ekipet e zjarrfikësve dhe ambulancës, ndërsa policia ka bërë të ditur se ekzaminimi i vendngjarjes dhe veprimet hetimore po vazhdojnë.
Pas përfundimit të operacionit, qytetarët e pranishëm e duartrokitën Policinë e Kosovës, e cila i falënderoi për bashkëpunimin.