Ka një lloj arti mbinatyror në mënyrën se si Policia jonë e Shtetit arrin të jetë njëkohësisht edhe çekani, edhe viktima. Pasi shkopinjve të gomës u doli tymi duke shpërndarë "dashuri e mirëkuptim" mbi kurrizin e protestuesve, dhe pasi 23 qytetarë u ftuan me mirësjellje ushtarake për një xhiro falas drejt rajonit, doli edhe bilanci zyrtar që të prek direkt në telat e zemrës: "Na keni lënduar 6 efektivë!"
Në fletën e reagimit zyrtar, ku ndjeshmëria e uniformës pothuajse pikën mes rreshtave, Policia e Shtetit analizoi me imtësi "barbarinë" e turmës përpara Ministrisë së Arsimit. Sipas kësaj narrative prekës, protestuesit nuk kishin dalë për arsim apo për të drejta, por kishin shkuar aty me plan të qartë: të dëmtonin pa mëshirë kaskat e çatallosura, mburojat prej plastike dhe parakrahët e brishtë të Forcave të Sigurisë.
"Dhuna" e qytetarëve ishte aq e pashpirt, saqë efektivëve iu desh të përdornin shkopin e gomës vetëm si mjet mbrojtës, një lloj refleksi i pavullnetshëm fizik ku shkopi thjesht "rrëshqiti" disa herë mbi trupat e protestuesve.
Dhe për t'i vendosur qershinë mbi tortë këtij spektakli ironik, policia nuk harroi të kujtojë se garanton me me mish e me shpirt të drejtën e qytetarëve për të protestuar, natyrisht, me kushtin e vetëm që protesta të bëhet në heshtje totale, pa lëvizje, dhe pa cenuar integritetin emotiv e fizik të kaskave të policisë.